Lebron, më në fund kanë nisur të të pëlqejnë “Liqenasit” e tu!

I ndoqi në fitoren e kaluar, ndërsa besohet i ka parë në televizor në sfidën e luajtur në Oklahomë. Lebron Xhejmsi, më në fund, mund të ketë nisur të kënaqet nga “Liqenasit” e tij, pasi Lejkërsat ia dolën në Arenën e një skuadre tepër të fortë, që ka në radhët e saj dy yje të frikshëm si Rasëll Uestbruk dhe Pol Xhorxh.

Skuadra nga Los Anxhelosi triumfoi pas kohës shtesë 138-128, dhe kjo falë lojës së disa prej të rinjve. Kajl Kuzma realizoi 32 pikë, por edhe kapi 8 topa në tabela, shërbeu 4 asistë dhe vodhi 3 topa. Kroati nga Bosnja, Ivica Zubac, tregoi vlerën e shtatlartësisë së tij (2.16 metra) duke shënuar 26 pikë e duke kapur 12 topa në tabela në 28 minuta lojë, ndërsa Lonso Boll pati 18 pikë, 8 topa në tabela e 10 asistë.

Mendohet që me kthimin e Lebronit nga dëmtimit, Lejkërsat do të jenë më të fortë dhe do të pretendojnë të kenë sukses edhe në plej ofin e NBA-së, pse jo, të synojnë titullin. Për momentin, skuadra nga Kalifornia është në vend të 8-të në Konferencën Perëndimore, me 25 fitore e 21 humbje.

Oklahoma humbi një tjetër rast për të treguar veten, ndonëse e mbajti vendin e tretë në Perëndim. Pol Xhorxh shënoi 27 pikë për të, kapio 7 topa në tabela, dhe shërbeu 8 asistë, si dhe pati 3 vjedhje topi. Uestbruk gjithashtu pati ndeshje të mirë me 26 pikë, 9 topa në tabela e 13 asistë, por Oklahoma gaboi shumë nga distanca në pjesën e dytë të ndeshjes, dhe nuk qe në gjendje të kalonte mbrojtjen e fortë mike.

Sfidanti.al