“Thuajse erdhi koha përsëri! Më ka marrë kaq shumë malli për ju”! Lebron Xhejms i dedikoi këtë foto dhe këto fjalë shokëve të tij tek Los Anxhelos Lejkërsat, ndërsa u kthye nga dëmtimi për të bërë stërvitjen e parë me ta. Për fat të keq, “thuajse”, pasi “Mbreti” nuk është bërë ende 100 për qind gati për të ndihmuar skuadrën.
Sesa shumë është ndjerë mungesa e tij, mjaft të shohim ndeshjen e mbrëmjes së fundit, humbur në Los Anxhelos, pra në shtëpi, ndaj Filadelfias me shifrat 121-105. Edhe pse Brandon Ingram bëri maksimumin, duke shënuar 36 pikë (5 topa në tabela, 5 asistë), sërish Liqenasit nuk ia dolën.
Filadelfia u udhëhoq nga lojtari i saj më i mirë, Xhoel Embajd (Embiid), që shënoi 28 pikë, kapi 11 topa në tabela e shërbeu 6 asistë. Krah tij edhe Xhimi Batler (20 pikë, 5 topa, 6 asistë, 5 vjedhje), Ben Sajmons (19 pikë) apo Majk Maskala (17).
Pa Lebronin, Lejkërsat kanë vetëm 6 fitore e 10 humbje, dhe tani janë jashtë zonës së plej ofit në Konferencën Perëndimore. Skuadra nga Kalifornia rrezikon të mos shkojë në plej of, gjë që do të ishte një dështim i madh, ndonëse rikthimi i Xhejmsit, ndoshta në ndeshjen e ardhshme, mund ta ndryshojë këtë fat.
Sfidanti.al