Pas humbjes së Los Angeles Lakers në Nju Jork kundër Knicks me rezultatin 112-100, superylli LeBron James la të kuptohet se fundi i karrierës së tij brilante mund të jetë më pranë se kurrë. Megjithëse nuk ka dhënë ndonjë njoftim zyrtar për të ardhmen, 41-vjeçari duket se po e merr seriozisht mundësinë e tërheqjes në përfundim të sezonit aktual. Në deklaratat e tij, LeBron ka reflektuar mbi faktin se koha e tij në fushat e basketbollit po afron në fund: “Në fund të fundit, një ditë gjithçka mbaron. Vjen një moment kur mendon: ‘Dreqin, nuk do të luaj më në Madison Square Garden, nuk do të kthehem më në disa palestra. Nuk do të luaj më… pikë!” Fjalët e tij janë interpretuar si një indikacion i qartë se ideja e pensionimit po konsolidohet në mendjen e “Mbretit”, duke lënë tifozët të përgatiten për një kapitull të fundit të një karriere që ka shënuar epokë në NBA. Sezoni aktual mund të shënojë jo vetëm sfidat në fushë, por edhe reflektimin për fundin e një prej legjendave më të mëdha të basketbollit.
sfidanti.al

