Lando Norris, piloti me shtëpi pranë Meklarenit, me idhull Valentino Rosin!

Është edhe britanik, edhe belg, pasi babai është nga Bristoli, ndërsa mamaja nga pjesa flamande e Belgjikës. Lando Norris është padyshim më i lidhur me Britaninë e Madhe, ndonëse i ka që të dyja nënshtetësitë, ndërsa mund të jetë e ardhmja e Formula 1. Të paktën kështu shpresohet, ndërsa vendi i 3-të në Austri me Meklarenin, duke lënë pas Hamiltonin e Perezin tregoi shumë. Ai luftoi deri në fund me Mercedesin e Valteri Botasit, ndërsa vetëm Verstapen ishte i pakapshëm.

“Ishte garë shumë emocionuese, por edhe zhgënjyese sepse unë duhej të kisha dalë në vendin e dytë, – tha Norris më pas, – më dënuan kot për shkak të Perezit, nuk ishte faji im. Gjithsesi, jam i kënaqur që jemi në gjendje të luftojmë dhëmb për dhëmb me Red Bullin e Mercedesin, e para herë që ndodh”. Vjet, Norris doli në vend të 9-të në renditjen e Botërorit në Formula 1 me 97 pikë, ndërsa këtë vit ka 92 pikë në vetëm 9 gara dhe është i katërti. Ai është rritur pran Uokingut, ku është fabrika e Meklarenit, ndërsa idhull i fëmijërisë ka qenë Valentino Rosi.

Sfidanti.al