Anglezët nuk janë njësoj, ata mbledhin 34 000 paundë stërlina për tifozen e vogël gjermane!

Gjermania dështoi ndaj Anglisë, teksa humbi 2-0 dhe i dha lamtumirën Euro 2020 në raundin e 1/8-ve. Trishtim i madh në kampin e “Pancerave”, teksa të gjithë u prekën nga tifozja e vogël gjermane. Regjia fokusoi  vogëlushen gjermane duke qarë në krahët e babait së saj pas golit të Harri Kejnit. Pamjet u bënë virale, ndërsa tifozët anglezë nuk i kanë kursyer memet dhe ofendimet ndaj tifozes së vogël. Dikush prej tyre arriti e quajti “qaj naziste e vogël”, por kishte edhe të tjera komente negative dhe aspak të tolerueshme ndaj saj. Ish-sulmuesi i Anglisë, Stan Kolimor ka bërë një përmbledhje të komente fyese ndaj vogëlushes duke u shprehur i habitur dhe trishtuar se si njerëzit mund të ishin kaq mizorë kundrejt një vajze të mitur. Ndërkohë, një person i quajtur Xhoel Hjuxhs ka marrë iniciativën për të mbledhur fonde, me synimin për t’i bërë të ditur vogëlushes se, jo të gjithë anglezët janë njësoj. Objektivi i parë ishte mbledhja e 500 paundëve, por njerëzit kanë reaguar për mirë dhe deri tani janë grumbulluar mbi 34 mijë paund. Teksa falënderon njerëzit për kontributin e tyre, Hjuxhs thekson se ai po punon për të gjetur familjen e vajzës. Nëse nuk e gjen ose familja “nuk dëshiron të gjendet”, ai do t’u kthejë mbrapsht të gjithëve paratë.

Sfidanti.al