Derbi kalifornian mes Los Anxheles Klipers dhe Sakramentos i shkon pikërisht skuadrës së Klipers me rezultatin 122-108. Los Anxheles e kontrolloi me mjeshtëri këtë takim nga fillimi deri në fund duke marrë këtë fitore me vlera përsa i pëket të qenit në zonën e playoffit në Konferencën e Perëndimit. Për Klipers shënuesi më i mirë ishte Herrëll me 25 pikë, ndërsa Lu Uilliams regjistroi një bilanc me 12 pikë dhe 10 topa në tabelë. Përsa i përket Sakramento Kings, spikati De’Aron Foks me 21 pikë, ndërsa Bogdanovic e mbylli sfidën me 19 pikë personale.
San Antonio zhvilloi një sfidë të shkëlqyer përballë Uashingtonit duke e mundur me rezultatin 132-119 me trajnerin Greg popovic që pa 7 lojtarë të tij me statistika dyshifrore. Padyshim më i miri në parket për teksanët ishte LaMarkus Oldrixh me 30 pikë, 9 topa në tabelë dhe 6 assist. I vetmi problem i San Antonios në këtë ndeshje ishte fakti se kjo skuadër regjistroi 15 sulme të humbura të cilat i shfrytëzoi Uashingtoni për të shënuar 24 pikë me kundërsulme.
Toronto konfirmohet si një prej skuadrave më të mira në këtë sezon në NBA. Këtë skuadra kanadeze e tregoi në përballjen me Dallasin duke e mundur me rezultatin 123-120 ku ai që u dallua ishte i zakonshmi Leonard me 33 pikë. Raptors e mbylli pjesën e parë me një avantazh me mbi 10 pikë diferencë, por më pas e frenoi disi vrullin e saj nga e cila pëfitoi Dallasi që mori kryesimin në këtë ndeshje pas rezultatit të pjesshëm 30-15. Por në periodën e fundit, Toronto e riktheu sezonin në favorin e saj duke regjistruar në fund fitoren e 37 sezonale. Dallasi nga ana e tij u desh të ngushëlllohej vetëm me paraqitjen e shkëlqyer të Luka Doncic i cili e mbylli ndeshjen me 35 pikë, 12 topa në tabelë dhe 10 assist duke shënuar ‘triple double’ e tij të dytë në karrierë duke bërë më mirë edhe se vetë Lebron Xhejms, duke qenë se e regjistron këtë statistikë në moshën 19 vjecare.
sfidanti.al