Fernando Alonso rikthehet fitues; në garën 24 Orë të Dejtonës

Fernando Alonso harron Formula 1 dhe këtë e bën duke fituar garën e 24 Orë të Dejtonës. Piloti spanjoll mori pjesë në këtë eveniment me skuadrën Kadillak në një skuadër me Kobajashin, Tejlor dhe Van der Zande. Gara u zhvillua në kushte të vështira atmosferike duke qenë se reshjet e shiut ishin shumë të dendura duke bërë që në pistë të hyjë herë pas here makina e sigurisë, ndërkohë që komisarët e garës e valëvitën 2 herë flamurin e kuq, herën e dytë ndodhi për t’i dhënë fund garës 2 orë përpara kohe.

Alonso e nisi garën nga vendi i gjashtë dhe arriti të fitojë duke u shfaqur piloti më i mirë në kushtet e krijuara të motit. Piloti spanjoll fiton evenimentin e dytë jashtë botërorit të /formula 1 në Dejtona, pas suksesit të arritur në garën e 24 Orë të Le Mansit të zhvilluar disa muaj më parë.
Por Alonso do të ketë edhe një tjetër dhuratë për fitoren në 24 Orë të Dejtonës. Bëhet fjalë për një orë dore ‘Rolex

Oyster Perpetual Cosmograph Daytona’ ku do të jetë i shkruar emri i tij. Kompania zvicerane e orëve është sponsori kryesor i kompeticionit që nga viti 1992 dhe për këtë arsye ora quhet ndryshe edhe si ‘Rolex i pilotëve’. Ora origjinale nuk ka një vlerë financiare të përcaktuar për faktin që është unike në llojin e saj, por kopjen e saj mund ta blesh në treg për rreth 16 mijë Euro.

sfidanti.al