Të gjithë qeshin me trajnerin e Kilit: Korean apo japonez njëlloj janë…!

Trajneri i përfaqësueses së Kilit, Reinaldo Rueda, i bëri të gjithë për të qeshur me rastin e hedhjes së shortit në Kupën e Amerikës. Kilin, kampion në fuqi të kësaj kupe, shorti i hedhur e vendosi në Grupin C së bashku me Uruguain, Ekuadorin dhe Japoninë që do të luajë në konkurrimin e lartpërmendur si e ftuar.
Trajneri i Kilit, Rueda, u pyet nga gazetarët që të bënte koment për ekipet kundërshtare dhe ai, midis të tjerave, lavdëroi ekipin përfaqësues të Japonisë që, sikurse dihet, u paraqit mjaft mirë në Botërorin e fundit të Rusisë, duke arritur që të luante në 1/8-tën e finaleve të tij.
“Ne e njohim mirë ekipin e Japonisë, kemi analizuar lojën e të gjithë ekipit, në mënyrë të veçantë të disa lojtarëvë të tij dhe theksin kryesor e kemi vënë tek ylli kryesor që luan me Totenhemin”, vuri në dukje trajneri i Kilit, duke pasur parasysh sigurisht futbollistin Hjong Min Son që luan me Korenë e Jugut dhe jo me Japoninë, ndërkohë që me Totenhemin nuk luan asnjë japonez.