Kush nga shqiptarët nuk e mban mend batutën e Robert Ndrenikës në filmin “Rrugë të Bardha”, kur ai ngacmonte Dedën duke i thënë “kush është ai që pret tek dera e kinemasë?”. Një gazetë britanike pati një titull të ngjashëm me këtë batutë shqiptare të vitit 1974. “Kush është kampioni që festoi “në parajsë” ditëlindjen e tij të 32-të?”, ishte titulli në “Dejli Mejl”, ndërsa fjala ishte për Ljuis Hamiltonin. Anglezi postoi një foto të vetën në një majë mali të paidentifikuar, duke pasur këtë përshkrim:
“Jam i bekuar që festoj ditëlindjen time të 32-të në këtë parajsë”. Më tej, Ljuis spjegoi se ai ka dy preferenca për “ parajsën”, së pari rërën e bardhë dhe detin e kaltër, dhe së dyti malin me dëborë. Ish-kampioni i botës në Formula 1 po karikon bateritë për sezonin e ardhshëm, ku synon ta rifitojë titullin pasi e humbi në mënyrë dramatike në garë me Niko Rosbergun, të dy pilotë të Mercedesit.