Është një nga lojtarët më të mirë të NBA-së sot për sot dhe mungesa e tij u ndje shumë nga Hjustoni. Xhejms Harden më në fund mori leje nga mjekët dhe u kthye në parketin e shtëpisë së tij, duke arritur që të luante sërish basketboll pas kaq shumë ditësh, dhe kjo ndihmoi shumë. Hjuston Rokits mundi “paq” Minesotën, 116-98, edhe pse “Mjekra” nuk është se u lodh shumë.
Stafi teknik e hodhi në fushë vetëm për 25 minuta, nga 48 gjithsej, por kjo mjaftoi që ai të shënonte 10 pikë, të kapte 2 topa në tabela, të vidhte dy topa dhe të bllokonte dy gjuajtje. Vlejtën sidomos 7 asistët e tij, në një ndeshje ku edhe ylli i ardhur nga Klipersat, Kris Pol, shërbeu 9 asistë të tjerë, duke shënuar edhe 19 pikë nga ana e tij.
Këta asistë ndihmuan Erik Gordonin të realizonte 30 pikë dhe Klint Kapelën të shtonte edhe 20 të tjera për Hjustonin që është skuadra numër 2 në Konferencën Perëndimore, pas Golden Stejtit, por me bilanc më të mirë se të gjitha skuadrat e Konferencës Lindore.
Sfidanti.al