Raiola: Transferimi i Sançezit te Junajtidit varet nga Mhitariani

Mbas sapunadës me Filipe Kutinjon që, më në fund, kaloi te Barcelona, tani, kemi një të tillë të ngjajshme me Aleksis Sançezin në rolin kryesor. Këtij futbollisti mjaft të mirë kilian, në fund të sezonit, i mbaron kontrata me Arsenalin, kështu që ky i fundit po nxiton që ta shesë atë gjatë këtij sezoni transferimesh, me synimin që të fitojë ndonjë “pare të madhe” nga shitja e tij. Si favorit kryesor për blerjen e tij, deri tani, përmendej më shumë Mançester Siti, por, sipas informacioneve më të fundit ky klub që kryeson Premier Ligën, i ka ndërprerë kontaktet me të dhe, tani, gara për të, sikurse thuhet, po zhvillohet mes Junajtidit dhe Celsit që u përfshi në garë këto kohët e fundit.

Se cili nga këta dy klube ka prioritet, është e vështirë të thuhet, sepse ka informacione të ndryshme, plus që në këtë çështje “ka futur duart” edhe agjenti i njohur kontraversal, Mino Rajola, klient i të cilit, midis të tjerëve, është edhe Henrik Mhitariani. Ky futbollist armen te Junajtidi i ka pozitat mjaft të dobësuara, duke qenë se ai luan me hope. Sidoqoftë, pikërisht, ky lojtar është kyç në marrëveshjen mes Junajtidit dhe Arsenalin për Aleksis Sançezin. “Junajtidi nuk do ta nënshkruajë marrëveshjen, nëse Miki (Mhitariani) nuk pranon të shkojë tek Arsenali, ndërkohë që ai  vetë akoma nuk ka vendosur. Ai ka një kontratë që vazhdon edhe dy vite e gjysmë të tjerë, kështu që vendimin përfundimtar do ta marrë vetëm vetë ai”, vuri në dukje Raiola para medias.

Sfidanti.al