Pritej që boksieri ukrainas, Vladimir Kliçko, ta zhvillonte ndeshjen revansh me boksierin britanik, Entoni Xhoshua, pasi këtë të drejtë atij ia jepte edhe marrëveshja përkatëse. Madje, promotori i Xhoshuas, Edi Hern, kishte rezervuar edhe “T-Mobile arenën” në Las Vegas për “larjen e ardhshme të hesapeve” mes dy kolosëve të boksit. Por, Kliçko, pasi u mendua mirë, konkludoi se kishte ardhur fundi, se ai duhej te largohet nga ringu.
“Kisha 1000 arsye që ta pranoja ndeshjen revansh dhe, atëherë, t’i jepja fund karrierës sime, por në momentin, kur unë po merrja vendimin, një pjesë e imja kishte vdekur! Konstatova se motivimi nuk ishte në nivelin e duhur, madje, as 20 milionë dollarët që unë do të fitoja, po të ndeshesha edhe një herë me Xhoshua, nuk e nxitën këtë motivim. Nëse unë do të vazhdoja që të ndeshesha vetëm për para, do të gënjeja veten”, vuri në dukje Kliçko.
Sfidanti.al