Kërri nuk i humbet ndeshjet derbi, pas Klipersave mund edhe Lejkërsat!

Nuk është gjë e vogël të jesh tri herë kampion i NBA-së dhe pesë herë finalist. Stefën Kërri është padyshim ylli më i madh i epokës së artë të Golden Stejtit, dhe e ka të gjithë krenarinë për të kthyer ekipin në nivelin e mëparshëm, gjë që e tregoi në ndeshjet e fundit. Pasi mundi Los Anxhelos Klipersat duke shënuar 38 pikë, e përsëriti këtë shkëlqim në fitoren ndaj Lejkërsave. Nuk ishte gjë e vogël të mundeshin kampionët në Los Anxhelos, ndërsa Kërri vërtetoi sërish se pëlqen t’i fitojë ndeshjet derbi.

Dueli në Los Anxhelos ishte klasik, pra Lebron Xhejms përballë Kërrit, dhe Golden Stejti papritur mundi vendasit në sekondat e fundit. Golden Stejti pati shumë lojtarë të dalluar si Oubre, Uigins, Grin apo Pashall, ndërsa Kërri shënoi 26 pikë ndaj 19 të yllit të Lejkërsave, përfshi edhe një tripikësh në fund që vulosi fitoren e miqve 115-113. Një mënyrë shumë e mirë për të nderuar figurën e Martin Luter Kingut, për të përmirësuar pozitat në renditje me Golden Stejtin që është në vendin e 7-të me 8 fitore e 6 humbje, por shumë pranë vendit të parë që e mbajnë pikërisht dy ekipet nga LA dhe që kanë nga 4 humbje.

Sfidanti.al