Ibra i pakënaqur me dy gola, por Milani do ta kënaqë me përforcime

Sekreti i legjendave, nëse mund të quhet i tillë, është mentaliteti, fakti që nuk kënaqen kurrë me veten, kjo do të thotë se kërkojnë pa fund edhe nga të tjerët. Të tillë kanë qenë Pele, Maradona, Krujfi apo Bekenbaueri, të tillë Ronaldo e Mesi sot, e po kështu edhe Zllatan Ibrahimoviç. Gjigandi suedez bëri një kthim të mrekullueshëm në Serinë A duke shënuar dy gola si titullar për Milanin, e duke e ndihmuar ekipin që të ngjitej sërish në vendin e parë të renditjes, tri pikë mbi Interin.

Gjithsesi, vetë Ibrahimoviçi u duk i pakënaqur me veten. “Duhej të kisha bërë edhe një gol tjetër, – thekson ai, – por, sot mjaftonin dy për të fituar. Një ndeshje e vështirë, dhe unë kisha 50 ditë pa luajtur, më duket, madje më shumë. Por, këta të rinj tek Milani më frymëzojnë. Janë djem të rinj që vrapojnë shumë, dhe unë vrapoj bashkë me ta. Luaj edhe me ata, rinia dhe entuziazmi i tyre më marrin me vete”.

“Po flasim për një kampion, për një kampion në nivel absolut, – ishte komenti i trajnerit Stefano Pioli, – në aspektin teknik, në vendosmëri, në karakter dhe personalitet, që na ka dhënë një ndihmë të madhe, duke qenë pranë tij edhe lojtarët e tjerë janë rritur. Edhe pa Ibrën jemi skuadër, por bashkë me të jemi më të fortë”.

Natyrisht, milanistët nuk janë vetëm Zllatani. Skuadra ka nivel në çdo repart, duke nisur nga porta e duke përfunduar tek sulmi. Pioli e vlerëson lart ekipin e tij. “Po luajmë me sakrificë, me ritëm të lartë, që i shtohen cilësisë së lojtarëve, – tha ai, – nëse i ruajmë këto cilësi mendoj se kemi mundësi të mira për të vazhduar kështu”.

Pioli, Ibra dhe tifozët besojnë se Milani do të jetë edhe më i fortë në fazën e dytë falë përforcimeve. Mario Manxhukiç tashmë i është bashkuar skuadrës, dhe sulmuesi kroat do të jetë një mbështjetje më shumë për suedezin. Shpejt pritet mbrojtësi i Çelsit, Fikajo Tomori, që mund të vijë në huazim tani në janar, për t’i blerë kartonin në verë, ndërsa po mendohet edhe për Zhunior Firpon e Barcelonës në krahun e majtë.

Sfidanti.al