Fakti që luhet në Elbasan nuk do të thotë se derbi do të jetë me më pak përgjegjësi dhe presion, ndërsa të dyja skuadrat padyshim që do të duan të marrin fitoren. Tek Partizani janë të lumtur që iu hoq “dryni” nga “dera” e transferimeve dhe po nxitojnë të përforcojnë ekipin me lojtarë. Dy prej tyre pritet të jenë Sabien Lilaj e Gledi Mici, dy njohje të vjetra të Superligës dhe me shumë përvojë, ndërsa korçari ka eksperiencë të gjatë edhe në Europë.
Tirana, ndërkaq, është më konkrete pasi përforcimin e madh e ka bërë dhe ky është Taulant Seferi. Futbollisti i kombëtares shqiptare e ka entuziazmuar stafin teknik bardheblu me në krye trajnerin Nevil Dede dhe burime nga klubi kryeqytetas bëjnë me dijë se Seferi pritet të jetë titullar ndaj të kuqve në “Elbasan Arena”. “Seferi ka treguar formë shumë të mirë në stërvitje, por edhe që në debutimin ndaj Kastriotin, – thotë një burim tek Tirana, – dhe pritet që të ketë shumë ndikim në ndeshjen ndaj Partizanit. Ai është energjik, me shumë talent dhe forcë fizike dhe mund të bëjë diferencën”. Derbi luhet të enjten, ndërsa kohët e fundit Tirana ka pasur më shumë rezultate pozitive, pas një periudhe disavjeçare dominimi nga Partizani.
Sfidanti.al