Kërri arrin në 3010 tripikësha, Golden Stejti fiton edhe me Juta Xhazin

Jo vetëm që ia doli, por e bëri jashtë fushe dhe vetëm pak ditë pas suksesit të madh në Arenën e Feniksit. Golden Stejti, skuadra më e mirë e sezonit të rregullt në NBA deri tani, arriti fitoren e dytë radhazi tepër të rëndësishmë, në shtëpinë e rivalëve direktë në Konferencën Perëndimore. Shifrat ishin 123-116, dhe ish-kampionëve iu desh një periudhë e katërt shumë e mirë, ndërsa Juta Xhazi rikuperoi dy herë dizavantazhin nga -14 dhe -16 pikë, për të kaluar në epërsi. Stefën Kërri shënoi 28 pikë dhe dha 9 asistë, ndërsa tani ka arritur në 3010 kosha tripikësh në NBA, duke thelluar rekordin e tij. Po ashtu, ai vazhdon të thellojë rekordin tjetër personal të NBA-së me 158 ndeshje radhazi ku shënon të paktën një kosh tripikësh. Forca e Golden Stejtit ishte që humbi vetëm 2 gjuajtje në 10 minutat e fundit duke bërë diferencën me kërrin, Iguodalën, Uiginsin dhe Porterin. Ish-kampionët e NBA-së kanë 28 fitore e 7 humbje në vend të parë në Perëndim, ndjekur nga Feniksi me 27-8 dhe Juta me 26-10.

Sfidanti.al