Mercedesi i ri ende nuk dihet sesa i shpejtë është në krahasim me rivalët, por për një ish-kampion nuk ka dyshime. Najxhëll Mansell, britaniku që fitoi titullin në Formula 1 në 1992, titulli i fundit para shfaqjes së mrekullisë Shumaher, është gati të vendosë të gjitha paratë e tij në bastin e quajtur “Ljuis Hamilton”.
“Për mua nuk ka dyshim se Mercedesi dhe Ljuisi janë sërish favoritë, – u shpreh Manselli, – Ljuisi ka edhe shumë vite të tjera të suksesshme në karrierë, gjithnjë nëse do të mbetet ambicioz, mund të fitojë ende disa tituj, dhe ta ngrejë “stekën” shumë lart”. Gjithsesi, Mansell shpreson që Ferrari, Red Bulli madje edhe Meklareni të jenë konkurrentë të denjë të Mercedesit, në mënyrë që Formula 1 të jetë më e bukur.
Hamilton është 4 herë kampion i botës, anglezi me më shumë tituj (Sër Xheki Stjuart ka 3), ndërsa kontrata e tij me Mercedesin përfundon në fund të vitit. Skuadra gjermane ka besim se anglezi do të rinovojë edhe për 2 vjet të tjerë.
Sfidanti.al