Triumfi në Katar ishte i plotë, ndonëse rivali i tij bëri maksimumin e mundshëm. Ljuis Hamilton e fitoi Çmimin e Madh të Katarit duke lënë pas Maks Verstapenin, ndërsa është i vetmi pilot në histori me 102 fitore dhe 102 vende të para në prova në Formula 1. Madje, është i pari që ka kaluar shifrën 100 për njërën dhe për tjetrën kategori. Gjithsesi, ai synon titujt. “Një fundjavë e madhe, – deklaroi Ljuisi, – pjesa e parë ishte vërtet e fortë. Ata (pilotët e Red Bullit) ishin shumë të shpejtë, ju e patë sesa lehtë i parakalonin rivalët. Gjithsesi, ne kemi qenë të fortë dhe unë i pres me shumë emocion dhe shpresë dy garat e mbetura. Mendoj se makina jonë do të jetë e shpejtë dhe e fortë në të dyja, ndaj mendoj se do të konkurrojmë fort”. Verstapeni vlerësoi nisjen e tij shumë të mirë, ndonëse thuajse u përplas me Alsonson që në kthesën e dytë.
“Unë arrita shpejt në vendin e dytë dhe pastaj u përpoqa t’i qendroja pranë Hamiltonit për të mos i dhënë mundësi të bënte një ndalesë ekstra”, – tha holandezi i Red Bullit, që kryeson Botërorin me 8 pikë më shumë se anglezi 36-vjeçar. Hamiltoni ka vetëm një rekord të rëndësishëm të Shumaherit pa thyer, atë të xhirove të shpejta në një garë, pasi gjermani kryeson me 77 të tilla, ndërsa anglezi ka 58, dhe nuk dihet nëse do të ketë aq karrierë dhe aq epërsi për të fituar edhe 20 të tjera.
Sfidanti.al