Juta Xhaz fiton sërish, ndoshta erdhi koha të harrohen “vuajtjet”

Sezonin e kaluar, në fazën e plej ofit në Floridë, skuadra nga Solt Lejk Siti pati një epërsi të ngjashme ndaj Denverit, por përfundimisht u eleminua. Juta Xhaz ishte në avantazh 3-1 me fitore, veçse Jokiç me shokë përmbysën gjithçka, dhe në SHBA po bëhet sërish kjo pyetje: Do t’i mbajnë nervat këtë herë pasardhësve të Karl Malounit dhe Xhon Stoktonit? Fitorja në fushën e Memfisit ishte ajo e duhura, 120-113 dhe lojtari kryesor, Donovan Miçëll, bëri atë që prisnin të gjithë, luajti shumë mirë. Shënoi 30 pikë si dhe shërbeu 8 asistë, ndonëse gaboi disa herë në gjuajtjet për tri pikë.

Xhordan Klarkson (në foto) shtoi 24 pikë duke ardhur nga stoli, si dhe 6 topa në tabela, ndërsa Bojan Bogdanoviç realizoi 17 pikë në 33 minuta. Qendra franceze, Rudi Gober pati gjithashtu 17 pikë si dhe 8 topa në tabela, Majk Konlei 11 pikë e 7 tabela dhe Rojs O’Nill 9 pikë e 9 topa në tabela. Vendasit nuk patën forcë për të depërtuar deri nën koshin e miqve, dhe provuan me gjuajtjet për 3 pikë, por aty u bë gabimi fatal, sepse shënuan vetëm 10 nga 35 të tentuara. Juta Xhazi kryeson 3-1 dhe është skuadra me bilancin më të mirë në NBA në fazën e rregullt. Këtë sezon duket më e plotësuar me basketbollistë, ndaj mund të jetë rivale për këdo.

Sfidanti.al