Ndoshta Siti e fiton Harri Kejnin me shkëmbim lojtarësh!

Kostoja e tij arrin padyshim në 150 milionë euro apo edhe më shumë. Nuk është e lehtë të paguhet kartoni i Harri Kejnit edhe kur emrin e ke Mançester Siti, dhe kur je gati të bësh çmenduri për të forcuar skuadrën, për të zëvendësuar Sergio Agueron dhe për të fituar me se s’bën Championsin. Pep Guardiola e kërkon kapitenin Anglisë, dhe sheikët e Sitit mund të shpresojnë që Totenhemi të pranojë edhe shkëmbim lojtarësh. Në Angli flitet për dy futbollistë që Spërsat i pëlqejnë dhe këta janë Gabriel Zhezus dhe Natan Ejk, që të dy bashkë mund të shkojnë në 80-100 milionë paundë stërlina. Kjo do ta ulte shumë sasinë e parave që do të duhej të paguante Siti, dhe po ashtu do t’ia lehtësonte punën Totenhemit që nuk do të lodhej të gjente lojtarë. Në situatën e tanishme financiare të shkaktuar nga Kovidi, ky do të ishte varianti më i pëlqyer.

Sfidanti.al