Juta Xhaz fiton më në fund, Lejkërsat pranë eliminimit pa Lebronin

Në të vërtetë mungon edhe Entoni Dejvis dhe pa dy yjet kryesorë, skuadra nga Los Anxhelosi sikur ishte “viktima” e paracaktuar që Juta Xhazi t’i jepte fund serisë prej 5 humbjesh radhazi. Në Solt Lejk Siti përfundoi 122-109 për vendasit, me Donovan Miçëllin që shënoi 29 pikë e pati 7 asistë, dhe francezin Rudi Gober që realizoi 25 pikë e kapi 17 topa në tabela. Konlej, Bogdanoviç dhe Klarkson po ashtu ishin të rëndësishëm. Lejkërsat u udhëhoqën nga Rasëll Uestbruku që pati 24 pikë, 6 topa në tabela e 7 asistë, por nuk përballuan dot Juta Xhazin, duke mos pasur pikët e Lebronit dhe të Dejvisit. Me këtë fitore, Juta mban vendin e pestë në Perëndim, duke synuar të ngjitet deri në të tretin, por mund të rrezikojë të bjerë edhe në të gjashtin. Lejkërsat ndërkaq janë në vend të 11-të po në Perëndim, pozicion që i eliminon plotësisht nga plej ofi, dhe duhet patjetër të fitojnë në shtëpi me rivalin direkt, Nju Orlins për të pasur ende ndonjë shpresë.

Sfidanti.al