Jokiç triumfon në NBA, ylli serb bëhet i pari ballkanas si numri 1!

Ishte një sukses vërtet i veçantë. Nikola Jokiç fitoi çmimin e Lojtarit më të mirë të sezonit të rregullt të NBA-së, duke vendosur disa rekorde. Ai ia doli ndaj dy kandidatëve të tjerë, gjithashtu shumë të mirë si Xhoel Embijd i Filadelfias dhe Stefën Kërri i Golden Stejtit. Lojtari nga Serbia mori 971 vota nga gazetarët, po ashtu edhe nga tifozët, duke lënë Embijdin gati 200 vota prapa.

Jokiç u bë lojtari i parë në historinë e Denverit që fiton këtë çmim. Po ashtu, ai është basketbollisti me renditjen më të ulët në përzgjedhjen për në NBA, në vendin e 41-të. i pari lojtar i Serbisë, dhe i pari i Ballkanit që ia del, duke qenë i treti nga Europas pas Dirk Novickit dhe Janis Antetokumbos. Pavarësisht shtatlartësisë prej 2.13 metrash, ai ka shkathtësinë, talentin dhe vizionin e basketbollistëve organizatorë dhe anësorë. Duke folur me gazetarët amerikanë dhe me ish-yllin e NBA-së, Shakill O’Nill, Jokiç u tregua i thjeshtë dhe falenderues për shumë njerëz që e ndihmuan.

“Ndoshta është punë fati, – tha ai, – shumë njerëz patën besim tek unë, po ashtu shumë njerëz punuan krah meje dhe më ndihmuan që të arrij këtu ku jam. Kuptohet, edhe unë bëra diçka për veten. Unë vij nga Serbia, një vend që mund të cilësohet i vogël, pavarësisht traditës në basketboll. Ndershmërisht, nuk e mendoja se do të arrija deri këtu, se do të fitoja Çmimin e Lojtarit më të mirë të Vitit”.

Jokiç ndihmoi Denverin të përfundonte sezonin në vendin e tretë në Konferencën Perëndimore, duke qenë ende në plej of dhe pretendent për titull. Ai pati statistika të shkëlqyera me 26.4 pikë për ndeshje, 10.9 topa në tabela për ndeshje dhe 8.4 asistë për ndeshje, diçka e madhe për një lojtar qendër. Vetëm legjenda të tilla si Oskar Robertson dhe Rasëll Uestbruk kanë pasur nivele të tilla. Jokiç pati saktësi të admirueshme në gjuajtjet e tij, si dhe rol udhëheqës për Denverin. Basketbollisti 26-vjeçar ballkanas gjithsesi ka ambicie edhe më të mëdha, dhe më kryesorja, të fitojë sa më shpejt titullin kampion në NBA.

Sfidanti.al