Kombëtarja fiton portierin e së ardhmes, Gentian Selmani shkëlqeu në Pragë!

Gjithmonë ka një herë të parë, ndonëse për të ishte e dyta. Kombëtarja mund të thuhet se ka fituar një portier që do ta ketë për shumë vite në të ardhmen, dhe ky ishte Gentian Selmani, që shkëlqeu në miqësoren ndaj Republikës Çeke. Në moshën tepër të re për një gardian porte, 23 vjeç, djaloshi i lindur në Krujë tregon se i ka të gjithë parametrat për të mbrojtur me sukses kuadratin kuqezi. Pritjet e tij në Pragë ishin shpëtimtare për Shqipërinë, sidomos në pjesën e parë, kur ekipi ynë ishte shumë dobët dhe vetëm Selmani u bë barrikadë për lojtarët vendas.

Pavarësisht se pësoi tre gola, ai mori një vlerësim shumë të mirë, dhe ishte nga të paktët futbollistë tanët që doli me kokën lart nga fusha. Kjo, në vazhdim të një sezoni vërtet pozitiv në Ligën e Parë të Turqisë me Bolusporin, me paraqitje që mund t’i sigurojnë një ekip në Superligën turke edicionin e ardhshëm. Kanë kaluar vite që kur krutani, që në Shqipëri luajti për Kastriotin dhe Laçin, kapërcente gardhin e stadiumit të Fushë-Krujës për të bërë stërvitje individuale, duke mos pritur as t’ia hapnin derën kryesore me çelës. Përkushtimi dhe sakrificat zakonisht shpërblehen dhe kështu po ndodh me Gentian Selmanin.

Një tjetër futbollist që meriton të veçohet në miqësoren e humbur 1-3 në Pragë është edhe Sokol Cikalleshi. Sulmuesi kavajas shënoi një gol vërtet të veçantë, nga më të bukurit e të gjitha kohëve për kombëtaren duke barazuar përkohësisht rezultatin. Kjo ishte rrjeta e 11-të për Cikalleshin 30-vjeçar, që dikur godiste shumë shtyllat, por që e ka korrigjuar mjaft shënjestrën duke qenë për momentin sulmuesi kryesor i Shqipërisë, dhe një nga djemtë më të mirë në përfaqësuese.

Sfidanti.al