Jokiç si Çembërleni, qendrat e vetme në NBA me 50 tripëll dabëlla!

Ai do të ketë edhe shumë më tepër, ndërsa roli i tij nuk është tipik i një lojtari që luan nën kosh. Nikola Jokiç ka talent të pamasë, zgjuarsi e vizion loje, përveçse shtatlartësi, forcë fizike e atletike dhe saktësi në gjuajtje. Ylli i Denverit arriti tripëll dabëllin e tij të 50-të të karrierës në NBA, duke u bërë i vetmit lojtar qendër që ia del, bashkë me legjendën Uilt Çembërlen. Ai shënoi 37 pikë, kapi 10 topa në tabela e shërbeu 11 asistë në fitoren e thellë dhe tepër domethënëse në fushën e Miluokit, 127-97. Jo kushdo mund t’ia dalë në shtëpinë e Janis Antetokumbos, jo më ta mundë me 30 pikë diferencë.

“Kjo flet për madhështinë e tij, – tha trajneri i Denverit, Majkëll Maloun, – ai nuk lodhet kurrë, edhe kur është në stol nxit shokët që të luftojnë fort. Kur lojtari më i mirë i ekipit e bën këtë, ai jep një mesazh të fortë”. Jokiç ka një mesatare tripëll dabëlli në karrierë të krahasueshme me lojtarët më të mirë të këtij specialiteti si Oskar Robertson apo Rasëll Uestbruk, ndërsa konkurrenti i tij më i madh i tanishëm është Luka Donçiç, edhe më shumë se Xhejms Harden apo Lebron Xhejms. Ylli serb ka vlerësimin më të madh të sezonit në NBA deri tani me 37.6 pikë, ndërsa Denveri është në vendin e 7-të në Perëndim me 20 fitore e 15 humbje duke e marrë veten pas një fillimi negativ.

Sfidanti.al