Barcelona “e plagosur” arrin në finalen e Kupës së Mbretit!

Kur ka fitore të tilla do të thotë se ka shpresë, edhe pse në La Liga pritet të jetë tepër e vështirë dhe në Champions “i kanë larë duart”. Barcelona arriti në finalen e Kupës së Mbretit në Spanjë me fitoren 3-0 pas kohës shtesë ndaj Seviljes në “Kamp Nou”, në sfidën e dytë gjysmëfinale. Disfata 0-2 në fushë kundërshtare u arrit të përmbysej dhe duhet thënë se katalanasit e merituan sepse edhe kur humbën luajtën mjaft mirë.

Këtë herë patën epërsi të madhe në pjesën e parë kur shënuan vetëm një gol me anë të Usman Dembelesë, një rrjetë shumë e bukur nga jashtë zone, por u desh të prisnin deri në minutën e tretë e të parafundit shtesë për ta dërguar duelin në shtesë. Gerard Pike shënoi, veçse u dëmtua gjatë shtesave dhe nuk dihet sesa mund të mungojë në ndeshjet e radhës. Dëmtim edhe për Usman Dembelenë. Goli i tretë erdhi shpejt, që në 95’ me sulmuesin Martin Brejthrejt, ndërsa Lionel Mesi këtë herë nuk mundi të linte shenjë si zakonisht.

“Përmbysje glorioze e Barçës dhe tani në finalen e Kupës”, shkruan e përditshmja “Sport” nga Katalonja, që theksoi se “suksesi ishte i merituar”. E përditshmja tjetër “El Mundo Deportivo” shkruan për “përmbysje historike dhe finale”, ndërsa nuk harron të përmendë se Ter Shtegen priti një penallti. Ishte ky moment në rezultatin 1-0 që lejo kualifikimin ndryshe gjithçka do të kishte qenë e kotë. Gjithsesi, gazeta “AS” nga Madridi shkruan se Sevilja meritonte një penallti tjetër në kohën shtesë pasi Lengle e preku topin me dorë.

Sfidanti.al