Asnjë basketbollist përpara tij nuk e kishte bërë këtë gjë në NBA. Duhej të vinte Nikol Jokiç, jo vetëm që të ndihmonte Denverin që të kualifikohej për në plej of për herë të katërt radhazi, por edhe që të bëhej i pari lojtar me mbi 2000 pikë, mbi 1000 topa në tabela dhe mbi 500 asistë në një sezon të vetëm. Basketbollisti serb shënoi 35 pikë, kapi 16 topa në tabela, shërbeu 6 asistë dhe bëri 5 vjedhje topi në fitoren e Denverit ndaj Memfisit, 122-109. Trajneri i tij, Majkëll Maloun, deklaroi se “nuk ka garë për çmimin e lojtarit më të mirë të sezonit, sepse megjithë respektin për të tjerët, Jokiç ka bërë diçka të pabesueshme këtë vit”. Ndikimi i Jokiçit ka qenë tepër i madh për një ekip të cilit i kanë munguar për dëmtim dy yje të rëndësishëm si Xhamal Marrej dhe Kevin Porter. Denveri është në vendin e 6-të në Perëndim me 48 fitore e 33 humbje, ndërsa Jokiç është lojtari me vlerësimin më të lartë në NBA edhe këtë vit, ndërsa u shpall më i miri sezonin e kaluar.
Sfidanti.al