Ishte Dejvisi heroi i Lejkërsave, Lebroni këtë herë duartrokiti!

Këto janë fitore që të shtyjnë drejt titullit kampion. Los Anxhelos Lejkërs kaloi një mbrëmje të vështirë në ndeshjen e dytë finale të Konferencës Perëndimore në NBA, por u desh veprimi i fundit i njërit prej yjeve kryesorë, që gjithçka të përfundonte me sukses. Entoni Dejvis shënoi një kosh tripikësh pikërisht ndërsa po binte sirena e përfundimit të sfidës, duke i dhënë Liqenasve fitoren 105-103. Gjigandi Lebron Xhejms këtë herë u mjaftua të duartrokiste shokun e skuadrës. “Një moment i veçantë për një lojtar të veçantë, jam i lumtur që jam pjesë e ekipit me të”, – tha Lebroni më pas.

Lejkërsat për pak humbën, edhe pse kryesuan ndaj Denverit edhe me 16 pikë epërsi. Sfidanti i fortë nga Kolorado u udhëhoq në momentin më të vështirë nga Nikola Jokiç që shënoi 11 pikë radhazi dhe kaloi në avantazh 103-102 kur kishin mbetur edhe 20 sekonda lojë. Jokiç realizoi 30 pikë, pati 6 topa në tabela, 9 asistë dhe 4 vjedhje topi, ndërsa Xhamal Marrej shënoi 25 pikë. Dejvis për Lejkërsat shënoi 31 pikë, kapi 9 topa në tabela e pati 2 asistë. Lebron Xhejms ndërkaq shtoi 26 pikë, 11 topa në tabela e 4 asistë, ndërsa Rejxhën Rondo dha 9 asistë. Ndeshja e tretë finale luhet mëngjesin e së mërkurës sipas orës së Shqipërisë.

Sfidanti.al