Ah Bajern, politika e lartë të akuzon për injorancë ose arrogancë

Një qortim “nga lart” edhe pse ata vetë nuk janë aspak “poshtë”. Drejtuesit e Bajernit të Mynihut patën një “shkulje veshi” nga ministrja e shëndetësisë së Bavarisë, Melani Huml, e cila i këshilloi ata që “duhej të ishit treguar më të zgjuar duke mos u ulur aq pranë e pranë njëri-tjetrit”. Por, edhe më shumë, drejtuesit bavarezë patën një “batare” të zbrazur kundër tyre edhe nga kandidati për kryetar të CDU-së, Fridrih Merc. Burri 64-vjeçar që dëshiron të zerë vendin e Angela Merkelit, theksoi se “mendimi im për atë që pashë ishte se, ose këta zotërinj janë të paditur, ose janë arrogantë”. Merci theksoi se Federata gjermane ka rregulla, por këta zotërinj nuk i zbatojnë. Zonja Huml, ndërkaq, theksoi se pavarësisht nga rregullat në Landin e Bavarisë, drejtuesit e Bajernit mund të kishin dhënë mesazh tjetër sepse në tribunën VIP kishte hapësirë të madhe për të qenë më shumë të distancuar. Oliver Kahni reagoi që në ditën e ndeshjes Bajern-Shalke duke thënë se ata respektuan rregullat e Landit, por Huml e hodhi poshtë këtë. “Sipas protokolleve një distancë minimale prej 1.5 metrash është e kërkueshme për aktivitetet sportive në nivel kombëtar”. Ministrja theksoi se Rumenige me shokë duhej të kishin qenë më të kujdesshëm sidomos duke pasur parasysh se rastet e reja me koronavirus janë shtuar në Mynih.

Sfidanti.al