Ky Arbnor Muçolli qenka “bishë” edhe në Superligën e Danimarkës!

Jo më kot u zgjodh më i miri lojtar i sezonit të kaluar. Arbnor Muçolli tregoi në vetëm pak minuta se këtë çmim nuk e meriton vetëm në nivelin e dytë të futbollit danez, por edhe në elitë. Në ndeshjen e parë të ekipit të tij, Vejles në Superligën e Danimarkës, talenti i Shqipërisë U21 hyri nga stoli për të shënuar dy gola, e duke garantuar fitoren e parë të sezonit.

Muçolli hyri në fushë shumë vonë, në minutën e 77-të, me Vejlen që kryesonte 2-1, por edhe kaq pak minuta i mjaftuan për të shkëlqyer. Ai kaloi edhe provën e arbitrave dhe të VAR-it, duke i shpëtuar pozicionit jashtë loje, ndërsa kishin kaluar vetëm 7 minuta në terren. Talenti i tij i padyshimtë u tregua edhe në rastin e rrjetës së dytë, krejtësisht individuale realizuar në minutën e 7-të shtesë. Padyshim që kjo formë e mesfushorit 21-vjeçar do të bëjë që trajneri i tij rumun, Konstantin Gëlkë ta aktivizojë më shumë, ashtu siç bënte edhe në Kategorinë e Parë.

Gjithsesi, Muçolli nuk ishte i vetmi futbollist kuqezi që spikati këtë fundjavë. Gol shënoi edhe mbrojtësi i kombëtares, Naser Aliji. Shqiptari i lindur në Kumanovë të asaj që është sot Maqedonia e Veriut bëri diçka jo shumë të zakonshme për të.

Edhe pse lojtar i prapavijës realizoi një gol të bukur me goditje dënimi në fund të ndeshjes së Kupës së Hungarisë, që Honvedi i Budapestit e fitoi 7-1 ndaj Tisaujvaroshit. Ky ishte goli i dytë për Alijin 26-vjeçar me fanelën e Honvedit, pasi shënoi në kampionatin hungarez edicionin e kaluar, në fitoren 2-1 ndaj Poksit.

Sfidanti.al