Hjustoni reagon si kampion, barazon finalen e Perëndimit në NBA

Shumëkush ishte bërë gati për t’i shkruar nekrologjinë. Hjuston Rokits i provoi krejtësisht të gabuar duke reaguar pas humbjes së rëndë në finalen e parë të Konferencës Perëndimore në NBA, e duke arritur një fitore madhështore. Stili i skuadrës më të mirë të sezonit të rregullt u vu masivisht në dyshim, por vetë basketbollistët e Hjustonit dhe trajneri i tyre, Majk D’Antoni, ishin plotësisht të bindur në vetvete.

Ata patën të drejtë siç e tregoi rezultati 127-105 ndaj kampiones në fuqi, Golden Stejt. Kapiteni Xhejms Harden këtë herë e pati ndihmën e duhur nga shokët e ekipit, sidomos nga Erik Gordon. Basketbollisti me numrin 10 shënoi po aq pikë sa Hardeni, plot 27, duke qenë vazhdimisht i saktë, sidomos për tri pikë. Gjithsesi, vendasit nuk patën vetëm këtë dyshe, pasi Taker realizoi 22 pikë, Ariza 19 e Kris Pol shtoi 16 pikë. Formacioni nga Teksasi jo vetëm përmirësoi shumë lojën në sulm, por ishte tepër lart edhe në mbrojtje, duke mos lejuar yjet miq që të shfaqnin klasin e tyre.

Golden Stejti bëri shumë pak këtë herë, dhe i vetmi që nuk u dorëzua deri në fund ishte Kevin Durant. i ardhuri nga Oklahoma dha paraqitjen e dytë të madhe radhazi, duke shënuar 38 pikë e duke gabuar shumë pak në gjuajtjet e tij.

Sidoqoftë, avantazhin dhe morali kanë kaluar nga ana e Hjustonit, edhe pse epërsia e faktorit fushë mbetet sërish për Golden Stejtit. Ndeshja e tretë, dhe më pas ajo e katërt, do të luhen në Arenën e kampionëve në Oklend, të cilët do të përpiqen të marrin një avantazh vendimtar për t’u kualifikuar për në finalen e madhe të NBA-së.

Sfidanti.al