Nuk foli me gojën e tij, siç nuk bën zakonisht. Robert Levandovski la që të flasë agjentin e tij, Maik Bartel, i cili shprehur gjithë zemërimin, zhgënjimin dhe ofendimin e sulmuesit polak për trajtimin që po i bëhet ditët e fundit. Gjithçka nisi pas dy ndeshjeve të Bajernit ndaj Realit në Champions, që përfunduan me eleminimin e gjermanëve, dhe kritikat vërshuan ashpër. Në ballë të tyre, si zakonisht gazeta tabloide “Bild”, dhe Bartel u ankua pikërisht tek “Bildi” për trajtimin që po i bëhet klientit të tij.
“Kritikat janë krejt normale, por ky stil nuk është i duhuri, – tha agjenti, – Roberti ka dalë dy herë radhazi shënuesi më i mirë i Bundesligës, me 30 e 29 gola, ndërsa tani po masakrohet vetëm sepse nuk luajti mirë ndaj Realit. Ky është një perceptim i gabuar”. Polaku u kritikua ndoshta sepse e kishte mendjen për të kaluar tek Reali, ndaj edhe nuk luajti siç duhet, por kjo mbetet për t’u vërtetuar.
“Është e pandershme që këta të ashtuquajtur ekspertë, godasin lojtarin vetëm për një apo dy ndeshje”, – vazhdoi Bartel. Këta ekspertë që përmend ai janë legjenda të futbollit gjerman. Zep Maier u shpreh se “askush nuk e pa atë në të dyja ndeshjet, ku ishte ai?” Ish-ylli i Bajernit, Paul Brajtner, shtoi se “ne ishim dy herë më të mirë sesa Reali, ne luajtëm dy herë në mënyrë sensacionale dhe pa Levandovskin”. Oliver Kahn i bëri kritikat që pas ndeshjes së parë. “Nuk po shoh mjaftueshëm Levandovski, – tha ish-portieri i madh, – ai ka një status të madh dhe duhet të japë më shumë”.
Sfidanti.al