Heronjtë e rinj të Memfisit, më të fortë se yjet e vjetër të Bruklinit!

Të fitosh në fushën e një skuadre që ka në përbërje Kevin Durantit dhe Xhejms Hardenin nuk është asnjëherë e lehtë. Gjithsesi, suksesi 118-104 i Memfis Grizlit ndaj Bruklin Netsave tregoi se përse ekipet më të mirë të Konferencës Perëndimore kanë një epërsi ndaj njërit prej më të mirëve në Lindje. Memfis, Feniksi apo Juta janë të përbërë nga lojtarë me moshë më të re, më shumë energjikë dhe që luajnë me ritëm më të lartë për pjesën më të madhe të kohës. Xha Morant ishte më i miri me 36 pikë, si dhe me 6 topa në tabela e 8 asistë, por Memfisi pati edhe Bejnin me 29 pikë, Klarkun me 16, apo Xhonsin e Kalverin nga 12 pikë. Përballë tyre, Durant dhe Hardeni u dukën papritur të vjetër, dhe i pari shënoi 26 pikë e i dyti vetëm 19, duke gabuar shumë në gjuajtjet sidomos për tri pikë, në mbulimin e fortë të miqve. Memfisi është në vend të katërt në Perëndim me 24 fitore e 14 humbje, ndërsa Bruklini i dyti në Lindje me 23 fitore e 12 humbje.

Sfidanti.al