A mund të fitohet titulli kur je 33 pikë prapa, kur kanë mbetur vetëm 4 gara? Nëse pyet Ljuis Hamiltonin, përgjigja gjithmonë është “po”, madje edhe me një makinë jo kaq fenomenale sa Mercedesi. Anglezi e dha përgjigjen e tij në pistën e Ostinit në Teksas, në provat zyrtare të Çmimit të Madh të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Xhiroja e përsosur në fraksionin e tretë i jep të drejtën të niset nga vendi i parë në garën e sotme.
Koha ishte e shkëlqyer, 1’34”999, më shumë se 2 të dhjetat nën atë që dha shoku i tij i skuadrës, Niko Rosberg, që është edhe kryesuesi i Botërorit të Formula 1 për këtë sezon. Do të duhet që Hamilton, kampioni i botës në fuqi, të fitojë sot në Ostin, të fitojë edhe 3 Grand Slemet e mbetur dhe që Rosberg të mos dalë gjithmonë i dyti, ndryshe titulli i mbetet këtij të fundit. Matematikë e vështirë, por Hamilton s’e ka problem të besojë se 2+2 bëjnë 5.
“Jam në formë shumë të mirë, ky është “pole position” i parë i imi në SHBA, – tha Ljuis pas provave, – për më tepër, ndjeva edhe entuziazmin e publikut që më mbështeti”. Një shqetësim e pati, pasi ndërrimi i marsheve iu bllokua në një moment në marshin e 7-të, por Hamilton u shpreh se ishte gjë fare e vogël. Rosberg, nga ana e tij, theksoi se “Ljuis ishte më i shpejtë se unë, por këtë vit provat nuk kanë qenë vendimtare”.
Nëse dy makinat Mercedes pritet të japin spektakël në pistën e famshme teksane, sfidanti i tyre kryesor mbeti përsëri Red Bulli. Ish-skuadra kampione absolute shpreson të mbërrijë sa më shpejt rivalët gjermanë, dhe kjo ambicie e tyre po e lë Ferrarin gjithnjë e më prapa. Në Ostin, “kokëkuqja” mbeti më shumë se 1 sekondë larg vendit të parë të provave, me kampionin e katërfishtë të botës, Sebastian Fetel, në krizë të thellë, lënë në bisht edhe nga shoku i tij, Raikonen.
B. Kuka