Tirana një javë festë, gjirokastritët “dolli” për Dajën

Tirana ka festuar shumë gjatë të gjithë javës së shkuar, duke filluar me dasmën e Muçës dhe përfunduar me 50 vjetorin e trajnerit Daja dhe futbollistët i rënduan shumë muskujt e tyre, pikërisht në momentet më të mira që po kalonin në kampionat. Ndërsa gjirokastritët kishin menduar vetëm për ndeshjen e rradhës dhe në fushën e lojës duket që ishin shumë më të freskët se bardheblutë. Ndoshta edhe i detyruar, Trajneri Daja kishte bërë disa lëvizje shumë të rëndësishme në formacionin e parë, ku në mungesë të dy mbrojtësve të krahëve, Hoxhallarit dhe Kërçikut, në krahun e djathtë kishte tërhequr Takun, ndërsa në krahun tjetër vendosi si titullar Domgjonin. Pikërisht këtu erdhën edhe dy golat e Luftëtarit, i pari pas një harkimi të Bregut dhe devijimit të Teqes që u kthye në një asist për Rexhinaldon, i cili nuk e kishte të vështirë ta shtynte topin për në rrjetë. Dhe në rastin e dytë, Devi Bregu bën gjithçka vetë, driblon Domgjonin dhe godet saktë. Tirana e kishte humbur freskinë e sigurisht edhe agresivitetin, kështu që goli i Takut pas një harkimi të Muzakës shërbeu vetëm për barazimin provizor të takimit.

Ndërsa në Shkodër nuk ka shumë histori. Vllaznia luan më mirë se Teuta, që vazhdon të ketë vështirësi për të parë drejt portave kundërshtare, pavarësisht se trajneri i ri ka premtuar skema të reja, të cilat mund të lënë jashtë lojtarë që një sezon më parë ishin në formacionin e parë. Veçse ajo skuadër ishte shumë më spektakolare dhe arriti Europën, ndërsa me këtë të tanishmen mjaftoi vetëm një gol i mrekullueshëm i Vrapit nga një goditje dënimi, por i shënuar që në të 41’ dhe që aty ndeshja u duk praktikisht e përfunduar.

Java VIII/ Rezultatet

Luftëtari – Tirana              2-1

Vllaznia – Teuta                1-0

Dje

Skënderbeu – Kukësi        0-0

Korabi – Partizani             0-1

Laçi – Flamurtari               1-1