Ljuis Hamilton është një nga njerëzit më ambiciozë në këtë botë. Piloti anglez padiskutim nuk e priti mirë përfundimin e Botërorit të Formula 1 që nxorri kampion Niko Rosbergun dhe jo atë. Gjithsesi, Ljuisi arriti t’i frentonte ndjenjat negative, dhe ta shikonte gotën gjysmë plot. Ish-kampioni postoi një foto të tij me Rosbergun kur ishin fare të rinj në garat Kart, duke e shoqëruar me diçiturën e duhur. “Urime Niko, ti bërë gjithçka siç duhej të bënte një kampion, ishte e merituar për ty”. Po aty, ai shtoi se “atëherë (kur ishim të vegjël) ne thamë se do të bëheshim që të dy kampionë, tani ne jemi të tillë që të dy”.
Hamilton dhe Rosberg kanë pasur një fat të pandarë me njëri-tjetrin duke qenë shokë skuadre dhe rivalë që në kategoritë më të ulëta të garave me makina, dhe që në moshë të vogël. Hamilton kishte dalë 3 herë kampion i botës, ndërsa Niko u shpall këtë sezon për herë të parë. Në garën e fundit, anglezi bëri gjithçka që gjermani të gabonte, por 31-vjeçari e përballoi sfidën.