Çelsi i Kontes trondit Milanin: Ja 60 milionë euro për Romanjolin

Antonio Konte nuk ka asnjë qëllim të dëmtojë Milanin sepse është rival i Juventusit të tij të zakonshëm. Siç ndodh në futboll, individi bëhet me ngjyrat e zgjedhura së fundmi, dhe trajneri i Çelsit është vetëm me blutë. Ai kërkon me ngulm të marrë yllin e ri të Milanit, Alesio Romanjoli, për të forcuar pikërisht skuadrën londineze. Mediat britanike dhe ato italiane shkruajnë se Konte do të përsërisë përpjekjet që dështuan në gusht.
Shpresat janë tek oferta e re, pasi në verë u refuzuan 41.5 milionë euro, ndërsa tani “steka” është ngritur në 60 milionë. Të shohim nëse aksionerët e rinj kinezë apo Berluskoni (nëse do të mbetet), do të jenë në gjendje të rezistojnë. Një gjë është e sigurt, nëse Milani dëshiron të ndërtojë një skuadër të madhe, 60 milionë eurot duhen refuzuar dhe Romanjoli duhet mbajtur. Për fatin e mirë të tifozëve, kinezët nuk duket se kanë nevojë për para.