Vendosi rekordin e provave zyrtare, fitoi “pole position”-in e radhës duke thelluar rekordin personal, ndërsa pret fitore të dielën. Ljuis Hamiltonit po i ecin sërish punët fjollë me Mercedesin e tij. Në Malajzi, piloti britanik u shqetësua shumë se mos epërsia e makinës kampione të botës mund të ishte zhdukur nga përmirësimi i Ferrarit dhe Red Bullit, që e fitoi garën me Mark Verstapenin, veçse ky shqetësim tani mund të largohet.
Suksesi në pistën e Suzukës u arrit me kohën 1’27”319, duke e thyer rekordin e mëparshëm të Mikael Shumaherit me plot 1.7 sekonda. Natyrisht, meritë për këtë rekord të ri nuk pati vetëm anglezi, por edhe ndryshimi i makinave, dhe kjo duket pasi kohën e Shumit e lanë prapa të gjashtë pilotët që zunë vendet e para. Kjo ishte fitorja e parë e “pole position”-it nga Hamiltoni në Japoni, dhe kjo është tregues i rëndësishëm për shpejtësinë e Mercedesit.
E vetmja gjë negative për skuadrën gjermane ishte që piloti tjetër i saj, Valteri Botas, do të niset nga vendi i gjashtë, pasi mori dënim me 5 vende zbritje, duke lejuar që në krah të Hamiltonit të nisen rivali i tij më i madh për titullin botëror në Formula 1, Sebastian Fetel. Anglezi kryeson renditjen me 34 pikë epërsi kur duhen edhe 5 gara deri në fund.
Sfidanti.al