Hamilton-Leclerc, “çifti” më i bukur i F1

Nëse do të jetë titulli i tij i tetë botëror? “Jo” – është shprehur Hamilton, i veshur me kostumin e kuq të Ferrarit. “Për mua do të jetë i pari. Botërori i parë me Ferrarin”. Piloti britanik ka qenë tepër i emocionuar teksa ka bërë xhirot e para në Fiorano me njëvendëshen e re, SF-25, me të cilën do të konkurrojë në botërorin 2025 të Formula1. Ai është shprehu i kënaqur me punën e bërë nga të gjithë në Maranello, por ende nuk mund të thotë një përgjigje të saktë se sa konkurruese do të jetë makina e re e Ferrarit, pasi ende nuk di zhvillimin e makinave kundërshtare.

“Do të përpiqem maksimalisht të fitoj një kampionat botëror me Ferrarin dhe të hyj në historinë e kësaj skuadre”. E për të qenë sa më pranë gjithçkaje që e lidh tashmë me Italinë, Hemilton ka shfaqur edhe dëshirën për të mësuar gjuhën italiane. Ndërsa Sharl Lëklerk ka qenë tepër këmbëngulës në dëshirën e tij: “E dashuroj Ferrarin dhe dua me patjetër të fitoj një titull botëror me këtë skuadër. A jemi unë dhe Hamilton çifti më i bukur në F1? Ata që vishen me të kuqe janë gjithnjë të bukur” – ka thënë piloti nga Monako.

Pas testeve të para në Fiorano, pilotët e Ferrarit do t’i bashkohen skuadrave të tjera për të bërë testet zyrtare në Bahrain nga 26-28 shkurt. Ndërsa botërori 2025 i F1, do të nisë në fundjavën e 14-16 mars në Australi për t’u mbyllur në 7 dhjetor në Abu Dhabi. Kalendari i botërorit 2025 në F1 përfshin 24 Çmime të Mëdha. Ky është botërori i parë në historinë e F1, me numrin më të madh të garave deri tani.

sfidanti.al