Hamilton i pakënaqur nga Ferrari dhe gara në Montecarlo

Nëse Charles Leclerc të paktën u përpoq të shihej në pasqyrat e Lando Norris, makina tjetër Ferrari, ajo e Lewis Hamilton, bëri një garë më vete. 7 herë kampioni i botës në Formula 1, fillimisht ishte i mbërthyer pas Isack Hadjar dhe Fernando Alonsos. Por, me ndalesat e tyre, ai mundi të shtynte për të zënë vendin e pestë. Ai nuk kishte ritmin për të arritur në top-4 dhe as mundësinë për të humbur në top-5. Dhe vetë Hamilton ka rrëfyer se ka kuptuar pak nga 78 xhirot e djeshme. “Nuk mund ta shpjegoj boshllëkun prej 51 sekondash nga Norris. Është pak çmenduri ta shohësh, por thjesht ndodhi”, tha Hamilton. “E kam nisur me penalitet, kam ndenjur pas dy makinave për një kohë dhe më pas kam arritur t’i kaloj. Pastaj e gjeta veten në tokën e askujt. Mendoj se diferenca ishte relativisht e madhe dhe nuk po konkurroja me askënd. Më duhej një makinë sigurie apo diçka tjetër, por nuk erdhi”, shtoi piloti britanik i Ferrari. “Strategjia nuk ishte shumë e qartë për mua. Informacioni nuk ishte saktësisht aq i qartë dhe për shumicën e kohës nuk dija pothuajse asgjë. Nuk e dija se për çfarë po luftoja. Nëse shikoj të dhënat, nuk isha shumë afër asnjërit nga të parëve. Shpresoja në një garë më të mirë, por tani përgatitem për fundjavën e ardhshme”, tha Hamilton.

sfidanti.al