Hamilton habitet për Ferrarin, por shefi i Mercedesit s’ka dyshime!

Duket se dominimit të një skuadre në Formula 1 po i vjen fundi, dhe po nis një periudhë e re. Mercedesi nuk mund të mburret se fiton provat zyrtare dhe Çmimet e Mëdha, duke i lënë në bisht të tjerët, madje duhet të shqetësohet se Ferrari është bërë pak si shumë i fortë. Kjo u duk sidomos në pistën e Singaporit, teorikisht dhe praktikisht favorizuese për makinën gjermane, por me italianët që morën “pole position”-in.

Kjo e habiti jo pak Ljuis Hamiltonin, kampionin e botës dhe kryesuesin e renditjes edhe këtë vit. “Nuk e di ku e gjeti Ferrari këtë ritëm, – u shpreh anglezi 34-vjeçar, – Sharli bëri një xhiro të madhe. Rrezikova shumë, madje dy herë për pak u përplasa me murin. Gjithsesi, jam i lumtur që ka më shumë konkurrencë, dhe që jam në mes të dy makinave Ferrari. Besoj se mund të jemi agresivë dhe të provojmë fitoren”.

Nëse Hamiltoni u çudit nga Ferrari, nuk ndodhi kështu me shefin e Mercedesit, Toto Volfin. Madje, ai u duk se ishte i qartë edhe për të që ndodhi. “Ne gabuam në xhirot e fundit dhe kur gabon nuk mund të dalësh i pari, – tha ai, – gjithsesi, Ferrari ka qenë i shpejtë gjithë këta vjet, por ka bërë gabime, ndërsa tani nuk bën më. Sidoqoftë, unë jam i bindur se Hamiltoni do të vazhdojë të jetë më i miri edhe për disa vjet”.

Sfidanti.al