Bufon me “përmasat e karrierës” 902-490, rekordi është pranë

I ka kaluar të 41 “pranverat”, por vazhdon të luajë në nivelet më të larta. Të kuptohemi, nuk është sot ai Xhanluixhi Bufon i viteve të kaluara, dhe tani zbret në fushë “me pikatore”, por gjithsesi është diçka e madhe. Si titullar i Juventusit, portieri legjendar italian arriti në 902 ndeshje për një skuadër klubi, duke barazuar rekordin në Itali të Paolo Maldinit. E gjitha kjo, ndërsa Bufoni u kthye në portën juventine në stadiumin e Torinos, për herë të parë pas 490 ditësh. Këtë herë nuk e kishte shiritin e kapitenit, atë e mbante Bonuçi, por kjo nuk i prishi asnjë punë.

Paraqitja e Xhixhit ishte shumë e mirë, duke bërë një pritje të madhe ndaj Lazoviçit, e duke u ndihmuar edhe nga shtylla më pas, në gjuajtjen e Velosos. Fitore 2-1 ndaj Veronës ku Marash Kumbulla u përjashtua në fund me karton të kuq. “I lumtur shumë që u ktheva, – tha veterani, – një kënaqësi e jashtëzakonshme, për moshën që kam dhe karrierën që kam kaluar. Doja të provoja edhe disa emocione të tjera tek Juventusi”.

Sfidanti.al