Kur gjithçka përfundoi dhe u shfaqën rezultatet në tabelën elektronike, një britmë e fuqishme doli nga gjokset e rreth 86 000 tifozëve në ish-aeroportin e vjetër të RAF-it që është një nga pistat më të lavdishme të Formula 1. Tifozët anglezë kishin të drejtë, pasi djali i shtëpisë, Ljuis Hamilton, më në fund e la pas favoritin e sezonit, Maks Verstapen. Ishte vetëm për 75 të mijtat, dhe ishte vetëm një fitore prej së premteje, por tifozë ishin të lumtur edhe me kaq, pas gjithë atyre të pabërave që kanë ndodhur këtë edicion.
Fituesi i provave zyrtare të Çmimit të Madh të Britanisë do të vendoset vetëm pas një sprinti 30-minutësh këtë të shtunë, pa pist-stope, e megjithatë që Mercedesi i Hamiltonit më në fund pati shpejtësi për t’ia kaluar sado pak Red Bullit të Verstapenit, ishte diçka e madhe. Hamilton i mbylli provat e lira me 1’26”134, ndërsa Verstapen pati kohën 1’26”209. i treti Valteri Botas me Mercedes me një të dhjetën më shumë sesa holandezi, pastaj Leklerk (Ferrari), Perez (Red Bull), Norris (Meklaren), Riçardo (Meklaren), Rasëll (Uilliams) e Sainz (Ferrari).
“Eja Hamilton, një kryevepër nga ana jote”, – i tha inxhinieri i tij i garës, Piter Bonington. “Edhe nga ana jote”, – ishte përgjigja e kampionit të botës. “Na kishte munguar kjo atmosferë për një vit, – tha më pas Hamilton, – e kam humbur zërin nga brohoritjet. Është madhështore të kesh mbështetje nga tribunat plot”. Hamiltoni ka fituar 8 herë pole positionin në 15 gara në Silverston dhe ka fituar garën 7 herë.
Sfidanti.al