Nëse UFC-ja do të përjashtojë dy njerëzit e tij, nuk ka ndërmend të vazhdojë në këtë federatë. Ky ishte kërcënimi i Habib Nurmagomedovit ndaj presidentit të Botërorit më të njohur të MMA-së, Dejni Uajt, ndërsa ky i fundit ka deklaruar se do të përjashtojë përjetë Zubaira Tuhugovin dhe Islam Mahaçevin për shkak të sherrit në oktagon me Konor Mekgregorin.
“Ne në Rusi nuk e kemi zakon të lemë në baltë vëllezërit tanë, – shkruajti kampioni i botës në Instagram, – ne shkojmë deri në fund të botës për ata. Nëse do t’i përjashtoni, më sillni edhe mua kontratën time të grisur, ose ndryshe do ta gris vetë”.
Luftëtari nga Dagestani i Rusisë akuzoi UFC-në për dy standarde, pasi nuk e përjashtoi Mekgregorin për sulmin ndaj autobusit që rrezikoi jetë njerëzish, dhe po ashtu nuk po merret me skuadrën e Mekgregorit që, sipas tij, nisi sherrin. “Unë nuk e nisa sherrin, – tha ai, – unë përfundova atë që nisën ata”.
Sfidanti.al