Ndëshkohet ashpër dhuna në kampionatin shqiptar të basketbollit të meshkujve. Trajneri i Vllaznisë, Bledar Gjeçaj, dhe lojtari i Tiranës, Erkand Karaj, u pezulluan me nga 6 muaj nga Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Basketbollit.
Gjeçaj dhe Karaj ishin protagonistët më të spikatur të përplasjes në Pallatin e Sportit në Shkodër, madje duke kaluar edhe në goditje fizike. Vendimi i Disiplinës u bazua në pamjet filmike dhe në relacionet e gjyqtarit dhe të deleguarit të Federatës në ndeshje.
Për shkak të sherrit, përballja u ndërpre për disa minuta, ndërsa në vazhdim atë e fitoi Tirana. Gjeçaj dhe Karaj kanë të drejtë të ankimojnë dënimin ndaj tyre.