Eshtë vetëm 19 vjeç dhe mbrëmjen e djeshme gjatë takimit Teuta – Kukësi ishte futbollisti më i rëndësishëm i skuadrës durrsake. Nazmi Gripshi bëri gjithçka mirë, duke tërhequr skuadrën e tij përpara, aq sa të krijonte përshtypjen, se flitej për një futbollistë me eksperiencë të mjaftueshme, për të dominuar ndaj kukësianëve që kërkojnë titullin e madh.
Aftësia të mira dribluese, harkime gjithmonë të rezikshme në zonën kundërshtare, por skuadra e tij e trajtoi aq shumë si një pikë referimi, saqë e ekzagjeroi. Në këtë rast është edhe mosha që të kondicionon limite. Gripshi u duk se u konsumua shumë, sa që nuk mundi ta përfundonte takimin, por me daljen e tij sigurisht që u dëmtua Teuta, pasi skuadra e Maganit i humbi kontaktet me portën kundërshtare. Mesfushori i lindur në Durrës, prodhim i Akademisë së Teutës është vërtetë një aset i vyer i këtij kampionati, ku flitet më shumë për të ardhur nga të pestë kontinentet dhe futbollistët tanë të talentuar trajtohen me indiferencë.