Golden Stejt shkatërron Denverin në sfidën e saj të radhës dhe i merr kreun e klasifikimit në Konferencën e Perëndimit. Skuadra e Uorrios ishte dominuese në këtë përballje me Nagets teksa e mundi me rezultatin e thellë 142-111. Kampionëve në fuqi të NBA iu mjaftuan 12 minutat e para për të vendosur diktatin e tyre në këtë ndeshje duke shënuar 51 pikë për të vendosur një rekord të ri pasi thyen atë të Finiks Sans të vitit 1990 me 50 pikë në një periodë të sfidës. Si zakonisht në këtë ndeshje spikati treshja e përbërë nga Kevin Durant, Stiven Kërri dhe Klej Tompson që së bashku shënuan 58 pikë në këtë ndeshje.
Oklahoma vë në rrezik vendin e tretë të saj në Konferencën e Perëndimit. Skuadra e Thandër u mund nga Atlanta 126-142, një humbje që shkaktoi jo pak befasi. pas një periode të parë të barabartë, Atlanta u shkëput ndjeshëm në minutat në vazhdim dhe shkoi në pushimin e ndeshjes me një avantazh të konsiderueshëm. Me fillimin e periodës së tretë Oklahoma u zgjua dhe me rezultatin e pjesshëm 41-27 e ngushtoi këtë diferencë të Atlantës, por pa mundur të ruajë ritmin e lojës. në fraksionin e fundit të sfidës, Houks shënoi 45 pikë dhe në fund bëri të sajën të gjithë takimin.
Los Anxheles Lejkërs-Cikago ishte ndoshtja e vetmja sfidë e mbrëmjes ku u pa rivalitet mes skuadrave në parket. Por në fund fitorja i shkoi pikërisht Los Anxheles Lejkërs 107-100 që edhe këtë radhë nuk e kishte LeBron Xhejms në radhët e saj. Ata që morën përsipër të drejtonin skuadrën kaliforniane ishin Kalduell Pop me 17 pikë dhe Ingram e Kuzma me 16 pikë secili. Los Anxheles Lejkërs e zgjidhi këtë ndeshje në periodën e fundit falë rezultatit të pjesshëm 14-0.
sfidanti.al