Golden Stejt është “makina e ferrit”, kalon të parën në Hjuston

Dueli më i madh dhe më i shumëpritur i sezonit në NBA nisi, dhe nisi ashtu siç trembeshin parashikuesit. Pavarësisht lëkundjeve të sezonit të rregullt, Golden Stejt Uorriors u tregua sërish skuadra perfekte duke triumfuar në fushën e Hjustonit, 119-106 dhe duke marrë avantazhin e finales së Perëndimit, dhe avantazhin e faktorit “shtëpi”.

Edhe pse Xhejms Harden, padyshim lojtari më i mirë i vitit, bëri maksimumin duke shënuar 41 pikë, sërish ai nuk mjaftoi përballë kampionëve. Përballë tij ishin Kevin Durant që shënoi 37 pikë, Klej Tompson që shtoi 28, Stefën Kërri që nuk u lodh shumë me 18 pikë, dhe Drejmond Grin që shënoi pak (5 pikë), por kapi 9 topa në tabela, shërbeu 9 asistë, vodhi 2 topa dhe bllokoi dy gjuajtje. Kërri shkëlqeu në shumë elementë, me 6 topa në tabela, 8 asistë, 2 vjedhje topi e 1 bllokime gjuajtjesh.

Ishte hera e parë që Golden Stejti e niste një duel plej ofi jashtë fushe që nga viti 2014, dhe ishte  hera e parë që përballej me Hjustonin që nga viti 2015, por të gjitha këto nuk patën asnjë ndikim. Pas dy periodave të para të ekuilibruara, Uorriorsi nisi të shkëputej duke shkëlqyer në periodën e katërt dhe të fundit. Ndeshja e dytë luhet duke u gdhirë e enjtja, po në Hjuston.

Sfidanti.al