Gjokoviç: Mos bini në panik, kam qenë edhe më i dobët!

Tenisti më i mirë serb, Novak Gjokoviç, deklaroi se atij nuk i bëjnë shumë përshtypje komentet për peshën trupore të tij dhe formën e dobët që ai ka treguar gjatë kohëve të fundit. Novaku, momentalisht, po merr pjesë në turneun e mjeshtrave në Indiana Uells, ku po mbron titullin, por kësaj here detyra e tij është shumë më e vështirë, pasi në këtë turne të gjithë janë favoritë. Nolja, pas pesë vitesh dominimi në tenisin botëror, ra mjaft në fund të sezonit të kaluar dhe humbi edhe vendin e parë në ranglisën e ATP-së, ndërsa, në fillim të këtij viti, mediumet shkruajtën shumë edhe për pamjen fizike të tij, sidomos, lidhur me atë se ai ka humbur një pjesë të madhe të masës së tij muskulore.

“Mos bini në panik, kam qenë edhe më i dobët”, thotë Gjokoviçi. “Unë nuk peshohem shpesh, pesha ime trupore ndryshon herë pas here. Ka shumë mundësi që, në këtë sezon, unë jam më i dobët sesa vjet, por kjo nuk do të thotë asgjë, pasi zotëroj një dinamikë të shkëlqyer të ekuilibruar, shpejtësi dhe fuqi të konsiderueshme. E ndjej veten mjaft mirë. Rëndësi ka që në një nivel të lartë të jenë të gjithë elementët fizikë”, tha ai.

sfidanti.al