Në jetë nuk ka vetëm punë, dhe kampionët e sportit nuk përjashtohen nga ky rregull, përkundrazi. Edhe Formula 1 jeton edhe me historitë e dashurive “fluide”, siç i takon kësaj “sëre”. Çmimi i Madh i SHBA-së i ngjau jo pak atij të Montekarlos, ku prania e bukurosheve dhe emrave të njohur është e sigurt. Pranë pistës së Ostinit në Teksas, ishin edhe kampione të tilla si Serena Uilliams dhe Lindsi Von. Kjo e fundit, yll i skive alpine, tërhoqi më shumë vëmendjen, për shkak të lidhjes së supozuar me kampionin e botës në F1, Ljuis Hamilton.
Natyrisht, ndjenjat e tyre janë krejt punë private (ndonëse mediat nuk heqin dorë nga thashethemet si dikur plakat e Korçës), veçse pyetja që u bë në Ostin nuk ishte: A janë të dashuruar Ljuisi dhe Lindsi? Jo, pyetja ishte: Për kë ishte në Çmimin e Madh të SHBA-së, Lindsi? Kjo, pasi Von u shfaq jo në qendrën e skuadrës Mercedes, por tek Red Bulli, dhe u fotografua në tavolinë (e shoqëruar me më shumë persona) me bukuroshin e ri, Verstapen.
Vetë kampionia e skive largon misterin, ose të paktën kështu duket. Ajo ka detyrime sponsorizimi me Red Bullin dhe ishin ato që e dërguan në “boksin” e skuadrës austriake. Në mesazhin e postuar në rrjetet sociale, Lindsi shprehet qartë: Duke festuar ditëlindjen time këtë fundjavë në Ostin, për garën e F1-it. Ju uroj fat, Red Bull dh Ljuis Hamilton”. Besoj, jemi të qartë apo jo?
B. Kuka