Formula 1: Rokadë në Holandë, Verstapen fiton garën dhe del në krye

Duket se e kanë bërë “me radhë” dy rivalët për titull në Formula 1. Maks Verstapen dhe Ljuis Hamilton, me gjasë, do të luftojnë deri në fund për kurorën, dhe këtë herë ishte Verstapeni që reklamoi fitoren. Jo më kot ishte në Çmimin e Madh të Holandës, në shtëpi, në një pistë ku Red Bulli normalisht ishte më i shpejtë, siç e tregoi edhe duke fituar provat zyrtare. Ljuis Hamilton, kampioni i botës në fuqi, nuk ishte e mundur ta parakalonte as në xhiron e parë, dhe as gjatë garës, ndonëse në një moment pati ndihmën e shokut të skuadrës tek Mercedesi, Valteri Botas. Kur Verstapen ishte rreth 3.5 sekonda para, Hamiltoni u detyrua të ndërronte gomat për të dhënë kohën më të shpejtë e për të fituar pikën për këtë gjë. Tashmë, Verstapen kryeson renditjen e Botërorit me 224.5 pikë ndaj 221.5 të anglezit, ndërsa Mercedesi ka 344.5 ndaj 332.5 të Red Bullit. Rreth 70 000 tifozë ishin në pistën e Zandvortit dhe u kënaqën nga piloti i tyre. Fundjavën e ardhshme, në 10-12 shtator, do të jetë Çmimi i Madh i Italisë në pistën e Monzës.

Sfidanti.al